Barcelona nuk i ka nisur ende kontaktet me Lionel Messin për rikthimin e tij në “Camp Nou”.
Ylli argjentinas qëndroi këto ditë në Spanjë dhe u tha se aty e ka shfrytëzuar rastin për të diskutuar me drejtuesit e klubit katalunas për një rikthim eventual në verën që vjen.
Megjithatë, drejtuesit e klubit thonë se s’kanë biseduar për këtë punë.
Por, s’ka dyshim se kampioni i freskët i botës do të donte të rikthehet në klubin e fëmijërisë, me të cilin fitoi gjithçka në futboll.
“Ne nuk e kishim asnjë kontakt me Messin. Ai vërtet do të donte të vinte për vizitë në qytetin e Barcelonës, ishte këtu për disa ditë, por ne nuk kemi biseduar për rikthimin e tij”, deklaroi drejtori i Barcelonës, Mateu Alemany për “DAZN”.
Messi është duke e kaluar sezonin e dytë në fanellën e Paris Saint-Germainit, ku ishte transferuar më 2021 si lojtar i lirë pasi vendosi të largohej nga Barcelona.