Barcelona – Lautaro, ndodh e papritura

16:43 | 31 July 2020

Barcelona pezullon negociatat për transferimin e Lautaros.

Mediumi spanjoll, La Vanguardia, raporton se Barcelona i ka pezulluar negociatat për transferimin e Lautaro Martinezit nga Interit deri sa të gjejë klube për lojtarë si Philippe Coutinho, Ousmane Dembele, Samuel Umtimi, Rafinha e Jean-Clair Todibo, të cilat dëshiron t’i shesë.

E përditshmja katalonase La Vanguardia raporton se presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka urdhëruar të pezullohen negociatat për transferimin e sulmuesit të Interit, Lautaro Martinezit.

Kjo pasi që klubi pritet të raportojë humbje financiare prej 200 milionë eurove për sezonin 2019/20 dhe klubi do të duhet të funksionojë me buxhet më të vogël për sezonin e ardhshëm.

Barcelona raportohet se e kishte arritur një marrëveshje verbale me argjentinasin për të ardhur në Camp Nou me kontratë pesëvjeçare, mirëpo tani të gjitha planet po vihen në pikëpyetje.

Drejtuesit e klubit katalonas janë të vetëdijshëm se para se ta blejnë ndonjë përforcim, ata duhet fillimisht të shesin lojtarë, si Umtiti, Rafinha, Todibo e Alena. La Vanguardia raporton se klubi dëshiron më së shumti të gjejë klube të interesuar për Coutinhon dhe Dembelen, për shkak të pagave të tyre të larta.

Barcelona është paralajmëruar nga La Liga pas shitjes së Arthurit në Juventus që klubi do të duhet të shesë edhe lojtarë të tjerë para se të blejë për shkak se klubi mund të jetë duke i shkelur rregullat e ndershmërisë financiare FFP duke shpenzuar më shumë sesa që përfiton.

Komento: