Barcelona me mungesa të shumta niset drejt Milanos, Inter pritet të startoj me një shqiptarë

14:17 | 03 October 2022

Barça me 5 mungesa drejt Milanos, Interi gati ta konfirmojë Asllanin titullar

Barcelona do të udhëtojë drejt Milanos për t’u përballur me Interin në “San Siro”, në sfidën e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, teksa të dy skuadrat kanë nga 3 pikë dhe do të kërkojnë fitoren për t’u ngjitur të dytët.

Megjithatë trajneri Xavi do të duhet të bëjë pa 5 futbollistë në këtë transfertë, pasi me skuadrën nuk do të udhëtojnë drejt Milanos emra si Kounde, Depay, De Jong, Araujo e Bellerin.

Natyrisht mungesa më të rëndësishme janë ato të repartit të mbrojtjes, ku nuk janë të gatshëm plot 3 lojtarë.

Gjithsesi Xavi nuk fshihet dhe do të kërkojë fitoren ndaj milanezëve, teksa edhe në kampin zikaltër nuk duken gjërat shumë mirë.

Skuadra është në krizë rezultatesh dhe ndaj katalanëve Inzaghi nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Brozovic dhe sulmuesin Lukaku, dy emra të rëndësishëm të formacionit.

Në fushë pritet të konfirmohet sërish titular Kristjan Asllani, mesfushori 20-vjeçar shqiptar, që debutoi me sukses ndaj Romës dhe do të marrë besimin edhe ndaj katalanëve, një tjetër ndeshje vitrinë për të.

Komento: