Messi rikthehet në stërvitje të plotë, do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundjavës.
Lionel Messi duket në rrugë të mirë për t’u riaftësuar plotësisht për ndeshjen e parë të Barcelonës në La Liga pas pushimit gati tremujor si pasojë e pandemisë, pasi të hënën ka stërvitur me grupin e bashkëlojtarëve.
Sezoni në La Liga rifillon këtë të enjte pas një pushimi të detyruar prej tre muajsh gjatë pandemisë, ndërsa liderja Barcelona e viziton Real Mallorcan të shtunën, transmeton Gazeta Express.
Barcelona merakosej se njeriu i vet kryesor dhe kapiteni i ekipit do të mungonte për shkak të një lëndimi muskulor i cili ia pamundësoi atij të stërviste me grupin kryesor javën e kaluar.
Messi stërviti i veçuar të shtunën, kur ekipi katalonas e mbajti një seancë në fushën e Camp Nou, por këtë të hënë argjentinasi iu bashkua ekipit për ushtrime të plota.
Barcelona ka publikuar pamje që e shfaqin Messin duke u ngrohur pranë Luis Suarezin dhe me buzëqeshje në fytyrë.
Messi është golashënuesi më i mirë në La Liga gjatë këtij sezoni me 19 gola në 22 paraqitje, ndërkohë që ka dhënë ndihmë edhe në anën tjetër duke asistuar 12 herë – po ashtu më së shumti në ligë.