Barcelona i urdhëron drejtorët dhe menaxherët të mos i përgjigjen asnjë klubi për Messin.
Barcelona nuk po mund assesi të pajtohet me faktin se lojtari më i mirë në historinë e vet, Lionel Messi, ka vendosur përfundimisht të largohet. Bordi i Barçës i ka urdhëruar drejtorët dhe menaxherët të mos i përgjigjen asnjë telefonate të klubeve të interesuara për kapitenin argjentinas.
Pavarësisht sesa i vendosur është Messi të largohet, Barça nuk e ka ndërmend ta marrë parasysh kërkesën e kapitenit dhe ka vendosur t’i injorojë ofertat për të, raporton Gazeta Express.
Gazeta e përditshme katalonase, Mundo Deportivo – e cila është e afërt me klubin – shkruan se bordi i Barçës i ka urdhëruar drejtorët dhe menaxherët e vet të mos i përgjigjen thirrjeve të klubeve të interesuara për Messin.
Edhe nëse ndonjë klub arrin marrëveshje personale me Messin, Barcelona është e vendosur të mos e marrë parasysh këtë dhe të mos ulet fare në tavolinë për të biseduar.
Barcelona është e vendosur të përpiqet ta bindë Messin të qëndrojë, duke e arritur një marrëveshje për të vazhduar deri në qershor të vitit 2021, e pastaj, me president dhe bord të ri pas zgjedhjeve të majit, të ulet dhe të bisedojë përsëri me gjashtë herë fituesin e Topit të Artë.
Messi nuk u paraqit sot në qendrën mjekësore të Barcelonës për ta kryer testin për Covid-19 para fillimit të stërvitjeve të hënën.
Ai e ka njoftuar klubin se nuk do të paraqitet në stërvitje nën urdhrat e trajnerit të ri Ronald Koeman.