“Barna për shërimin e autizmit”, fillojnë hetimet për Arianit Sllamnikun, flasin nga policia dhe prokuroria

13:56 | 20 Janar 2026
“barna-per-sherimin-e-autizmit”,-fillojne-hetimet-per-arianit-sllamnikun,-flasin-nga-policia-dhe-prokuroria

Kanë nisur hetimet rreth rastit të Arianit Sllamniku i cili dyshohet se ka përdorë te fëmijët me autizëm medikamente që zakonisht janë të destinuara për kafshë, e jo për njerëz. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë për Telegrafin se hetimet kanë nisur me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan.

“Me autorizim te prokurorit hetimet rreth këtij rasti kanë filluar”, ka thënë shkurt Hashani.

Edhe nga Prokuroria Themelore në Gjilan kanë bërë të ditur për Telegrafin se policia është autorizuar të ndërmarrë veprimet hetimore në lidhje me rastin.

“Referuar kërkesës tuaj për informacion, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan konform Kodit të Procedurës Penale të Kosovës ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin. Prokuroria Themelore në Gjilan do të ju mbajë të informuar lidhur me veprimet tjera”, thuhet në përgjigjen dërguar Telegrafit. /Telegrafi.

Komento: