
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar ashpër ndaj opozitës pas dështimit të 27-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e akuzuar atë për bllokimin e qëllimshëm të institucioneve.
Në një deklaratë për mediat, Basha tha se Kosova do të kishte qenë në një pozicion shumë më të mirë nëse opozita do të kishte treguar të njëjtin angazhim dhe vendosmëri në kundërshtimin e iniciativave të dëmshme për vendin, siç janë Zajednica dhe Gjykata Speciale, siç po bën sot për të bllokuar konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
“Po të kishte opozita këtë zell në kundërshtimin e Zajednicës dhe Gjykatës Speciale, sot do të ishim shumë më mirë. Por për fat të keq, energjinë e tyre e kanë fokusuar në sabotimin e vullnetit qytetar,” u shpreh Basha.
Ai theksoi se mungesa e vullnetit politik nga ana e opozitës ka sjellë pasoja serioze për funksionimin e shtetit, duke e lënë Kosovën pa institucione funksionale dhe pa mundësi për të ndërmarrë reforma të nevojshme në sektorë kyç.
Sipas Bashës, kjo situatë jo vetëm që dëmton interesin publik, por minon edhe besimin e qytetarëve në proceset demokratike.