Muhamet Hamiti, anëtar i LDK-së dhe bashkëpunëtor i ish-presidentit Ibrahim Rugova, i ka bërë një dedikim ish-presidentit në 80-vjetorin e lindjes.
Sipas Hamitit, Rugova ishte zëdhënësi dhe prijësi i popullit të Kosovës në vitin 1989, kur vendit iu shkel pozita kushtetuese e iu nëpërkëmb kultura.
“Ibrahim Rugova e themeloi dhe i priu Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë antikomuniste shqiptare në këto hapësira, kur kjo mori mbi vete fatin e popullit dhe vendit të vet. Presidenti Ibrahim Rugova e udhëhoqi lëvizjen për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës, strumbullar i së cilës ishte LDK-ja, që e bëri shtetin, Republikën e Kosovës të viteve 90-të, që në rrethana të papërsëritshme e ruajti substancën njerëzore shqiptare – rezistoi dhe luftoi populli ynë edhe me armë (UÇK) për shtetin e pavarur të Kosovës”, ka shkruar Hamiti.
Tutje, shkruan ai, Rugova dhe Kosova janë binom i pandashëm në sytë e botës.
“I zgjedhur katër herë President i Kosovës, dy herë para lufte, dy herë mbas lufte, Rugova shkoi nga kjo botë pa e parë të përmbyllur këtë proces, që ishte i paevitueshëm tashmë falë punë së tij, të organizimit shembullor nacional të cilit i priu ai. Prandaj, Ibrahim Rugova është Presidenti ynë historik dhe Ati Themeltar i shtetit të Kosovës. Njeriu me të cilin na njohu bota demokratike dhe na identifikon edhe sot, sepse Rugova dhe Kosova janë binom i pandashëm në sytë e shqiptarëve dhe në sytë e botës”.