Bashkëpunimi ShBA–Policia e Kosovës: Përmbyllet trajnimi për incidente kritike

17:15 | 21 Prill 2026
bashkepunimi-shba–policia-e-kosoves:-permbyllet-trajnimi-per-incidente-kritike

Në Prishtinë është mbajtur ceremonia përmbyllëse e aktivitetit trajnues “Menaxhimi i Incidenteve Kritike”, i organizuar nga programi ATA i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Në këtë ceremoni mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm, Gazmend Hoxha, së bashku me menaxhmentin e lartë të Policisë, përfaqësues të ambasadës amerikane, institucioneve vendore dhe partnerëve të sigurisë.

Trajnimi, i zhvilluar nga 14 deri më 21 janar, kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale për menaxhimin e incidenteve kritike dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional në nivel kombëtar. Në të morën pjesë përfaqësues nga një gamë e gjerë institucionesh, përfshirë ministri, agjenci të sigurisë, shërbime emergjente dhe organizata të tjera relevante.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, për shkak të rëndësisë së këtij aktiviteti, institucioni u përfaqësua në nivelin më të lartë ekzekutiv, me pjesëmarrje nga niveli qendror dhe drejtuesit e rajoneve policore.

Me këtë rast, Hoxha theksoi rëndësinë strategjike të trajnimit për rritjen e gatishmërisë institucionale dhe përmirësimin e reagimit të koordinuar ndaj sfidave të sigurisë. Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet kyç për një reagim efektiv në nivel kombëtar.

Në fund, Policia e Kosovës shprehu mirënjohje të veçantë për programin ATA dhe Ambasadën e SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin profesional dhe avancimin e kapaciteteve të sigurisë në vend, si dhe falënderoi të gjitha institucionet pjesëmarrëse për kontributin e tyre.

Ky aktivitet u vlerësua si dëshmi e përkushtimit të përbashkët për ndërtimin e një sistemi të integruar dhe të qëndrueshëm të sigurisë, në shërbim të qytetarëve dhe stabilitetit të vendit.

Komento: