Burri i Albulena Haxhiut emërohet anëtar i KQZ-së.
Presidentja Vjosa Osmani e ka emëruar sot Alban Krasniqin anëtar të Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, si partia e parë në vend nga zgjedhjet e fundit nacionale.
“Z. Krasniqi është emëruar konform propozimit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe sipas legjislacionit në fuqi, do të shërbejë për kohëzgjatjen e mandatit të mbetur”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në ceremoninë e betimit para Presidentes, anëtari i ri i KQZ-së deklaroi se do t`i kryej detyrat e tij në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme, thotë Zyra e Osmanit.
Krasniqi është aktivist i njohur i LV-së dhe bashkëshorti i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.