
Burri i Osmanit në cilësinë e udhëheqësit të rezervistëve firmos marrëveshje me ata të Shqipërisë.
Burri i Vjosa Osmanit, në cilësinë e udhëheqësit të rezervistëve të Kosovës la firmosur marrëveshje bashkëpunimi me rezervistët e Shqipërisë.
“Shoqata e Ushtarakëve Rezervë të Republikës së Kosovës nënshkruan marrëveshjen e parë të bashkëpunimit me Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve Rezervë të Shqipërisë.Presidenti i kësaj shoqate, nënkolonel Prindon Sadriu dhe presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve Rezervë të Shqipërisë, kolonel Thoma Konduri, nënshkruan Marrëveshje të Bashkëpunimit mes dy shoqatave”, njofton shoqata.
Dy palët u dakorduan që të thellojnë më tej bashkëpunimin në mes tyre, me qëllim të ngritjes së gatishmërisë dhe kapaciteteve të forcave rezervë, përcjell Klankosova.tv.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes, nënkolonel Sadriu falënderoi homologun e tij për bashkëpunimin e deritanishëm si dhe për kontributin e dhënë për krijimin e urave të komunikimit me CIOR. Gjithashtu, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, delegacioni i Shoqatës së Ushtarakëve Rezervë të Kosovës zhvilloi takim të ndarë me zëvendësministren e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, znj.Dallëndyshe Bici”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në këtë takim, zëvendësministrja Bici, e njoftoi delegacionin nga Kosova për angazhimin dhe planet e Ministrisë së Mbrojtjes për rezervën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
“Ajo vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe vëllazëror mes dy shoqatave të oficerëve rezervë si dhe ofroi mbështetjen e saj për aktivitetet e përbashkëta dhe ato brenda CIOR-it. Krejt në fund ajo transmetoi përshëndetjet e saj për ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj.Në përfundim të vizitës, delegacioni nga Kosova zhvilloi një takim pune në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë, ku u prit ngrohtësisht nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Skender Durmishi, në shoqërim të atasheut tonë të Mbrojtjes, kolonel Bashkim Shillova”, thuhet në njoftim.