Bashkëshortja e Tetajt reagon për dënimin ndaj Gogajt, kërkon që Prokuroria e Shtetit të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit

23:06 | 14 October 2022

Dënimi ndaj Gogajt, bashkëshortja e Tetajt kërkon që Prokuroria e Shtetit të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim që Shaban Gogaj të dënohet me 7 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Agonis Tetaj. Lidhur me vendimin ka reaguar bashkëshortja e të ndjerit, Albesa Cacaj, e cila ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Në një postim në Facebook, nëna e dy fëmijëve të Agonisit, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Pejës nuk është “drejtësia të cilën e kemi pritur dhe shpresuar ne si familje”.

“Ne presim nga Gjykata e Apelit që ta vendos drejtësinë duke dhënë dënimin adekuat, për vrasjen e bashkëshortit tim dhe babait të dy fëmijëve të mi, Lisit dhe Blinit. Për ne ditët janë të gjata e vitet e dhimbjes po rriten, tashmë kaluan 4 vite dhimbje e sfida nga më të ndryshme!”.

“Kjo veç drejtësi nuk është! Andaj, Kërkoj publikisht nga Prokuroria e Shtetit që të parashtroj ankesë në Gjykatën e Apelit, nga e cila presim që të vendos drejtësinë e merituar”, ka shkruar tutje ajo.

Ndryshe, vendimin e Gjykatës së Pejës e ka kundërshtuar edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.

Përmes një komunikate, kjo prokurori ka njoftuar se do të ushtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Pejës, duke mos u pajtuar me cilësimin juridik të veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”, transmeton Telegrafi.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të padrejtë dhe skandaloz vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë ndaj Shaban Gogajt.

Komento: