BE dënon “agresionin rus” ndaj Ukrainës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar atë që e ka quajtur agresion të pashembullt ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.
Bashkimi Evropian është me Ukrainën, ka thënë ajo.
“Rusia duhet të tërheqë ushtrinë dhe të respektojë plotësisht integritetin territorial të Ukrainës”.
Shefja e BE-së ka thënë se liderët e bllokut evropian do të diskutojë për këtë situatë dhe do të miratojnë masa tjera kundër Rusisë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë të enjten se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.
Në një postim në Twitter, Kuleba ka shkruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.
“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, ka thënë Kuleba.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, ka thënë se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë Ukrainën me mbrojtje dhe financa.
Presidenti rus ka konfirmuar se ka nisur, siç ka thënë, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka dënuar operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm “të paprovokuar dhe të pajustifikuar” ndaj Ukrainës dhe ka shtuar se bota “do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”.
Para sulmit në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë këtë javë se njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura.
Ky vendim është dënuar nga Perëndimi.