Bashkimi Evropian: Ekipi Menaxhues të jetë aty derisa statuti i Asociacionit të aprovohet, është në linjë me Marrëveshjen e Brukselit

13:45 | 04 May 2023

BE: Ekipi Menaxhues të jetë aty derisa statuti i Asociacionit të aprovohet, është në linjë me Marrëveshjen e Brukselit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në konferencën e përjavshme ka thënë se Ekipi Menaxhues duhet të jetë në atë vend derisa statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të aprovohet, shkruan Reporteri.

Stano tha se Qeveria e Kosovës ka bërë shkelje të marrëveshjes me vendimin për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues, ndërsa theksoi se ky ekip është në linjë me Marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Ekipi Menaxhues duhet të jetë në atë vend derisa statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë aprovuar. Çfarë ka ndodhur të martën është fillimi i procesit me draftin e prezantuar dhe prezantimi nuk ishte fundi i procesit. Prandaj, vendimi për të shpërberë ekipin menaxhues shkelë marrëveshjet e dialogut dhe çdo vendim që merret duhet të arrihet në pajtim në kornizën e dialogut. Ekipi menaxhues është në linjë me marrëveshjen e arritur në Bruksel”, tha Stano në konferencën e përjavshme për media.

Zëdhënësi i BE-së theksoi se Marrëveshja është parë e pranuar nga të dyja palët, dhe se Bashkimi Evropian dëshiron t’i ndihmojë palët në këtë rrugë të vështirë.

Në takimin e 2 majit në Bruksel, mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u prezantua draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nga Ekip Menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Kryeministri Kurti pas takimit tha se draft-statuti për Asociacionin i paraqitur nga Ekipi Menaxhues “është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”.

Ai tha se ky draft dëshmon dëshirën për “Republika Srbska” në Kosovë.

“Ky draft-statut është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën tonë dhe të drejtat e pakicave. Përkundër kësaj ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje dhe unë propozova një draft vizion me 11 pika përkitazi me nenin 7 se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet, korniza që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, pakicave”, tha Kurti.

Të nesërmen, të martën e 3 majit, Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi liroi nga detyra Ekipin Menaxhues, i cili ishte ngarkuar me përgjegjësinë e themelimit të Asociacionit, në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, por Ministri Krasniqi tha se ky ekip prezantoi punën e tij me 2 maj dhe se tashmë është pa status.

“Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkovic”, ka thënë Krasniqi.

Komento: