Bashkimi Evropian i shpall non-grata 19 misionarë rusë që shërbenin në Bruksel

18:14 | 05 Prill 2022

BE i shpall non-grata 19 misionarë rusë që shërbenin në Bruksel.

Bazuar në vendimin e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, 19 anëtarë të Misionit të Përhershëm të Federatës Ruse në BE janë shpallur persona non-grata për përfshirje në aktivitete kundër statusit të tyre diplomatik.

Përmes një deklarate, Bashkimi Europian tha se këto vendime janë përgjigje të veprimeve të paligjshme dhe përçarëse nga anëtarët e caktuar të misionit rus kundër interesave dhe sigurisë së BE-së dhe shteteve anëtare të saj.

“Këto veprime kanë qenë në kundërshtim me Konventën e Vjenës të vitit 1961 mbi Marrëdhëniet Diplomatike. Në bazë të nenit 16 të Protokollit 7 të Traktatit, privilegjet dhe imunitetet e qytetarëve rusë në fjalë do të revokohen dhe atyre do t’u kërkohet të largohen nga territori belg”.

Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm, Stefano Sannino, ka thirrur pasdite ambasadorin e Federatës Ruse në Bashkimin Europian, Vladimir Chizhov, për ta informuar për këtë vendim.

Ky vendim erdhi në kohën kur po raportohen mizoritë e kryera nga forcat e armatosura të Rusisë në një numër qytetesh të okupuara ukrainase që tani janë çliruar, veçanërisht në Bucha.

“Bashkimi Europian qëndron në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe popullin ukrainas dhe do të vazhdojë të ofrojë të gjithë mbështetjen e mundshme, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë”.

Komento: