Bashkimi Evropian: Kosova dhe Serbia ta implementojnë IBM-në në 6 kalimet kufitare

17:09 | 12 Nëntor 2020

BE: Kosova dhe Serbia ta implementojnë IBM-në në 6 kalimet kufitare.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë plotësisht Marrëveshjet për Menaxhimin e Integruar të Kufijve në 6 pikëkalimet mes dy shteteve. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, i tha Gazetës Express se BE-ja pret veçanërisht nga Serbia që të themelojë tri pikëkalimet e përhershme në anën serbe në Jarinjë, Muqibabë dhe Konqul.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë dhe pas presionit amerikan, pala serbe ishte vendosur në objektin e BE-së për Menaxhimin e Integruar të Kufijve në Merdare pas 9 vjetësh vonesë.

Por edhe pas vendosjes së palës serbe në objektin e përbashkët të BE-së, marrëveshja e IBM-së ka vazhduar të mos respektohet nga ana e Serbisë, pasi Policia e Kosovës dhe e Serbisë nuk shkëmbejnë informacione mes vete.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha për Gazetën Express se BE-ja pret që të dy palët të zbatojnë marrëveshjen e IBM-së.

“Pikëkalimi kufitar në Merdare është një nga gjashtë pikëkalimet e përbashkëta kufitare për të cilat të dyja palët janë pajtuar që t’i operojnë bashkërisht sipas Protokollit Teknik të IBMT-së të arritur më 2012 në Bruksel. BE-ja pret që të dyja palët ta zbatojnë plotësisht marrëveshjen e vitit 2011 dhe Protokollin Teknik të vitit 2012”, ka thënë Pisonero.

Tutje zëdhënësja e KE-së tha se Bashkimi Evropian pret veçanërisht nga Serbia që të fillojë themelimin e tri pikëkalimeve në anën serbe.

“BE-ja pret veçanërisht nga Serbia që të angazhohet në mënyrë konstruktive në fillimin e themelimit të tri pikëkalimeve të përhershme në anën serbe, siç është theksuar në Raportet Vjetore të KE-së për Kosovën dhe Serbinë, të publikuara më 6 tetor 2020”, tha ajo.

Raporti vjetor i Komisionit Evropian për Kosovën dhe Serbinë i publikuar në fillim të tetorit vë në dukje ngecjen e implementimit të IBM-së apo Menaxhimit të Integruar të Kufirit e cila ishte nënshkruar në marrëveshjet e dialogut teknik të vitit 2012.

“Në IBM, pikat e kalimit të përkohshëm të përbashkët me Kosovën vazhdojnë të jenë operacionale. Nuk ka pasur progres në krijimin e gjashtë pikat e kalimit të përbashkëta të përhershme të IBM-së ndërmjet Serbisë dhe Kosovës siç përcaktohet në marrëveshjen e IBM-së. Serbia nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në fillimin e vendosjes së këtyre pikave të kalimit në anën e Serbisë (në Jarinje, Muqibabë dhe Konqul). Kjo çoi në një pezullim të fondeve të BE në korrik 2018. Masat shtesë duhet të merren nga Serbia për të mbyllur kalimet e paligjshme”, thuhet në raportin e vitit 2020 të Komisionit Evropian.

Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje në Bruksel për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, më 2 dhjetor 2011, të cilën e kishte ndërmjetësuar, Robert Cooper, ndërkaq pala kosovare ishte përfaqësuar nga kryenegociatorja Edita Tahiri.

Komento: