Bashkimi Evropian pajtohet për sanksione të reja kundër Rusisë

21:26 | 14 Mars 2022

BE pajtohet për sanksione të reja kundër Rusisë.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për një pako të katërt me sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës, ka thënë zyra e presidencës franceze e bllokut evropian më 14 mars.

Presidenca franceze e BE-së ka thënë se pjesë e pakos ndaj Rusisë do të jetë heqja e statusit të “shtetit të favorizuar për tregti”, vendim që mund t’ia hapë derën bllokut për të vendosur tarifa të ashpra ndaj mallrave ruse dhe për ta renditur Rusinë në nivelin e njëjtë me Korenë Veriore dhe Iranin.

Diplomatët kanë thënë se sanksionet synojnë të përfshijnë edhe ndalesën në importet e çelikut dhe hekurit të Rusisë, ndalesë në eksporte të mallrave luksozë, përfshirë makinat mbi 50,000 euro dhe ndalesë në investime nëpër kompanive të naftës si dhe sanksione në sektorin e energjisë.

Pronari i klubit të futbollit, Chelsea, Roman Abramovich dhe 14 individë tjerë do të shtohen në listën e sanksioneve të bllokut evropian, kanë thënë diplomatët.

Britania tashmë ka sanksionuar Abramovichin javën e kaluar, duke ia bllokuar asetet dhe duke i vendosur ndalesë në udhëtime.

Sipas revistës Forbes, pasuria e Abramovichit kap vlerën e 7.2 miliardë dollarëve.

Pakoja e sanksioneve do të zbatohet zyrtarisht kur vendimi të publikohet në revistën e BE-së.

Presidenca franceze ka thënë se kjo gjë do të ndodhë “shpejt”.

Komento: