Bashkimi evropian mund të përballet me një valë refugjatësh.
BE-ja ka rënë dakord, me vendim unanim midis të gjitha vendeve anëtare për të pranuar refugjatë ukrainas deri në tre vjet pa u kërkuar atyre që të aplikojnë fillimisht për azil, tha ministri i brendshëm gjerman.
BE-ja ka paralajmëruar se Evropa po përballet me një krizë të madhe humanitare dhe numri i njerëzve të zhvendosur brenda vendit nga pushtimi i Rusisë mund të jetë më i lartë se shtatë milionë.
“Ne jemi dëshmitarë të asaj që mund të bëhet kriza më e madhe humanitare në kontinentin tonë evropian në shumë e shumë vite”, tha në një konferencë shtypi Janez Lenarcic, komisioneri për ndihmën humanitare dhe menaxhimin e krizave.
“Aktualisht, numri i pritur i ukrainasve të zhvendosur është mbi shtatë milionë njerëz”, tha ai, duke cituar vlerësimet e OKB-së.
Ai tha se rreth 18 milionë ukrainas pritet të preken nga konflikti në aspektin humanitar dhe rreth katër milionë të ikin nga vendi.
“Edhe pse këto janë vlerësime shumë të përafërta, shifrat janë të mëdha dhe ne duhet të përgatitemi për këtë lloj emergjence, e cila ka përmasa historike”, shtoi ai.
Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se numri i njerëzve që ikin nga Ukraina tani ka arritur në 368,000, me shumë në Poloni, Rumani, Hungari, Moldavi dhe Sllovaki.