BE: Veprimet e Rusisë përbëjnë akt të luftës.
Komisionari Evropian për Drejtësi, Didier Reynders, ka thënë se njohja e pavarësisë së rajoneve Donetsk dhe Luhansk nga ana e Rusisë dhe dërgimi i trupave në ato territore përbën “akt të luftës”.
Ai ka thënë se blloku evropian është i gatshëm për të vënë sanksione kundër Rusisë.
Duke folur për transmetuesin belg, RTBF, Reynders ka thënë se duhet të ketë pajtueshmëri unanime mes vendeve anëtare për të miratuar sanksionet.
Ai ka thënë se masat mund të shtohen gradualisht, varësisht prej veprimeve ruse.
Lloji i parë i sanksioneve mund të lidhet me ndalesë në udhëtime kundër individëve dhe sanksione kundër subjekteve ekonomike, përmes konfiskimit të aseteve në Evropë dhe më tej.
Përveç kësaj, Reynders ka thënë “se do të jetë e nevojshme të garantohet që nuk do të ketë më importim të mallrave dhe shërbimeve nga Rusia, sikurse energjia dhe që të ndërpritet qasja globale e Rusisë në shërbimet financiare”.
“Gjithçka është në tavolinë”, ka thënë ai, duke shtuar se vendet anëtare do të diskutojnë sa graduale do të jenë masat si dhe për mundësinë e diplomacisë në mënyrë që të ulet konflikti./REL