Bashkohen kampionët, Devolli Corporation sponsor i ekipit kampion KB Peja (FOTO/VIDEO)

17:55 | 05 Janar 2024
bashkohen-kampionet,-devolli-corporation-sponsor-i-ekipit-kampion-kb-peja-(foto/video)

Me festë e mbyllën kampionatin e Princ Caffe Superligës së Kosovës në basketboll, kur Peja u shpall kampione për herë të shtatë në histori të klubit.

E shqiponjat tani do t’i kenë krahët edhe më të fuqishëm.

“Verdhezinjët” kanë arritur marrëveshje sponsporizimi me Devolli Corporation.

“Privilegj, por mbi të gjitha përgjegjësi, të bashkohen dy ekipe të forta, një korporata që njihet për suksese dhe një klub që njihet për traditë dhe gjithë këto kupa. Një barrë është hequr, barra që mbetet është të tregohen rezultate në fushë të cilat jemi të bindur që do të arrihet me këtë bashkëpunim”, ka thënë Adriatik Kelmendi, anëtar i bordit të korporatës, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Kelmendi shprehet i bindur se sukseset e klubit të Pejës do të jetë edhe më të mëdha nga tani e tutje.

“Sukseset nuk do të mungojnë dhe vetëm sa do të shkojnë duke u varguar kupat. Këto do ta kërkojmë edhe ne dhe do të jemi bashkërisht ata që do të bashkëndjejmë me ata që do të djersitën në fushë, drejt sukseseve të reja”.

Marrëveshja e nënshkruar me Korporatën Devolli, është krenari por edhe përgjegjësi për klubin e Pejës, sipas kryetarit Fatmir Gashi.

“Në gjirin e Pejës, të kemi një korporatë si Devolli Corporation e bën edhe më madhështor këtë klub, na jep edhe më shumë obligime për arritje tjera. Kur kemi sponsor të mëdhenj si Devolli, përgjegjësitë janë shumë të mëdha, i dimë apetitet e Devolli Corporation, në të gjitha fushat tjera është i parë, nuk do me qenë i dytë. Na obligon që edhe sivjet të bëhemi kampion”, ka thënë Gashi.

Gashi ka treguar se familja Devolli ka qenë gjithnjë pranë sportit.

“Mos të harrojmë që edhe para lufte, në kohë të rezistencës, kjo kompani ka sponsporizur. Ibrahim Devolli ka qenë themelues i klubit Penza, kur ka qenë shumë më vështirë me e mbajtë një klub. Shpresojmë që së bashku me ju do të arrijmë ta ngritim nivelin e basketbollit, jo vetëm në Pejë”, ka shtuar ai.

Klubi i Pejës llogaritet si një nga favoritët për ta mbrojtur titullin e fituar një vit më parë.

Peja aktualisht qëndron në pozitën e dytë në renditjen tabelore, me dy pikë më pak se Trepça.

Komento: