Batatina: Superligën qysh të dua e dredh dhe e zhdredh

11:34 | 24 Shkurt 2023

“Superligën qysh të dua e dredh dhe e zhdredh”, a përfshinte kjo deklaratë e Batatinës edhe kurdisjën e ndeshjeve?

Trajneri i Llapit të zhytur në skandalin e kurdisjeve, Tahir Batatina, dikur mburrej se e kontrollonte futbollin kosovar në paraqitjet e tij televizive në vend.

Mediat franceze tronditën futbollin kosovar të enjten vonë kur raportuan se dy herë fituesi i Kupës së Kosovës dhe njëri prej klubeve kryesore në elitë, Llapi, dyshohet për kurdisjen e ndeshjeve.

Llapi dyshohet se i ka kurdisur katër ndeshje nga të cilat ka përfituar vetë dhe kanë përfituar edhe njerëz në Francë, për çfarë edhe u arrestuan nëntë persona këtë javë.

Gjatë një paraqitjeje televizive së fundmi, Batatina që është në krye të Llapit tash e shumë vite, mburrej se ai i kontrollon gjërat në ligën elitare kosovare të futbollit.

“Unë ju kam treguar me kohë se unë në Superligën e Kosovës qysh të dua e dredh dhe e zhdredh. Kë të dua e lë të festojë”, thoshte Batatina me mburrje në emisionin Dueli Sportiv.

Le Parisien dhe Le Figaro raportuan dje se nëntë persona janë arrestuar, në mesin e tyre katër kosovarë, në Francë së fundmi, nën dyshimin për përfshirje në katër ndeshje të kurdisura në futbollin kosovar.

Llapi i ka mohuar akuzat për kurdisje.

Sipas gazetës franceze, një grup prej 10 personash të moshës 22 deri 50 vjeçare janë të përfshirë në skandalin për ndeshje të ndrequra për skuadrën e Llapit nga Podujeva. Sipas tyre në këtë skandal të përfshirë janë anëtarët e stafit drejtues, teknik dhe disa lojtarë.

Ata, pjesëtarë të komunitetit kosovar me seli në Francë, më pas shfrytëzuan rastin për të vënë baste shuma të mëdha në faqen e Française des jeux. Shuma e fitimeve të realizuara në këtë mënyrë gjatë vitit 2022 do të arrinte në të paktën 360,000 euro.

Një pjesë e kësaj shume ishte dërguar në Kosovë dhe në arkën e klubit përmes nga Podujeva një prej sponsorëve të tij. Ky mekanizëm i lyer në mënyrë të përsosur përfundoi në bllokim kur Française des jeux vendosi të pezullonte pagesat pasi zbuloi baste të dyshimta në një nga këto ndeshje.

Midis nëntë personave të arrestuar mëngjesin e së martës, veçanërisht në Dijon dhe Mulhouse, pesë prej tyre u vunë në paraburgim nga policia. Më në fund, katër burra u paraqitën këtë të enjte, më 23 shkurt, përpara një gjyqtari hetues të Jirs of Nancy me një aktakuzë për akte korrupsioni dhe mashtrimi në një bandë të organizuar.

Komento: