
Paulo Dybala, mund të përfundojë te futbolli gjerman.
Largimet e Arjen Robben dhe Franck Ribery duket se kanë krijuar një gropë të madhe te Bayern Munich. Pas një dekate në Bavari, sulmuesit janë larguar dhe tashmë Bayern është hedhur në sulm për të gjetur pasuesit e tyre.

Sipas “Corriere dello Sport”, në krye të listës së dëshirave të Niko Kovac qëndron ylli i Juventusit, Paulo Dybala. Madje, duke iu referuar këtyre burimeve, gjermanët e kanë bërë tashmë ofertën e tyre të parë drejt argjentinasit.
Plot 80 milionë euro për Juventusin, i cili nuk e konsideron Dybalan si të pashitshëm. 25 vjeçari ka humbur shumë nga shkëlqimi i tij në sezonin e tij të fundit. Megjithatë, bardhezinjtë nuk pretendojnë të heqin dorë nga Dybala për një shifër më të vogël se 100 milionë euro.
Gjatë këtij sezoni, Dybala është aktivizuar në gjysmën e takimeve, duke realizuar vetëm 10 gola.