Bayerni dhe PSG-ja, sot kërkojnë trofeun e Ligës së Kampionëve

10:45 | 23 August 2020

Bayerni i Mynihut ka nisur nga dita e premte të mendojë vetëm për finalen e Ligës së Kampionëve, që do të luhet sot në orën 21:00 në “Da Luz” të Lisbonës. Rival do të jetë kampioni i Francës, PSG-ja.

Do të jetë një finale në kohë pandemie, pa tifozë, por rëndësia e trofeut do të vlejë njëlloj për të dyja skuadrat.

Kampioni i Gjermanisë e do me çdo kusht trofeun për të kurorëzuar një sezon thuajse perfekt. Gjermanët pritet të bëjnë dhe disa ndryshime për sa i përket formacionit ndaj francezëve. Kështu, në portë është konfirmuar Manuel Neuer.

Në mbrojtje, trajneri Hans Dieter Flick po mendon të bëjë disa ndryshime duke nisur nga Benjamin Pavard, i cili pritet të rikthehet në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në qendër, Jerome Boateng është në dyshim për shkak të një dëmtimi muskular. Nicklas Suele dhe Lucas Hernandez mund të zënë vendin e gjermanit. David Alaba dhe Alphonso Devies do të vazhdojnë të jenë të besuarit e trajnerit gjerman edhe në finalen e madhe. Në mesin e fushës, Tiago Alvantara mund të humbasë vendin e titullarit me rikthimin e Joshua Kimmichit në atë pozicion. Leon Goretzka dhe Thomas Mueller do të jenë lojtarët e tjerë që do të plotësojnë këtë repart. Në sulm, Robert Lewandowski dhe Sere Gnabry janë konfirmuar, në dyshim mbetet vetëm krahu i majtë.

Ivan Perishiq dhe Kingsley Coman do të luftojnë për një vend titullari.

Taktika? Nëse ndaj Barcelonës taktika e Flickut u zbulua nga mediat gjermane, ajo ndaj PSG-së vështirë të ndodhë. Në stërvitjen e së premtes, 55-vjeçari ka kërkuar që të mos ketë asnjë person që nuk është në listën e klubit. Frika nga një “spiunazh” është e madhe dhe në ndeshje të tilla mund të jetë një ndihmë për kundërshtarin.

Bayerni pritet të jetë më defensiv se ndeshjet e fundit, duke parë që ndaj Lionit, presingu i lartë për pak sa nuk i kushtoi kualifikimin.

Me Pavardin në mbrojtje, skuadra do të jetë kompakte në prapavijë për të mos lejuar Kylian Mbappen dhe Neymarin t’i afrohen portës së Neuerit. Flick e di që një gabim mund t’i kushtojë trofeun, një trofe që ai e do me patjetër.

Komento: