Skuadra e Bayernit e ka mposhtur Chelsean duke kaluar kështu në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Bayern Munich janë treguar skuadër superiore kundër Chelsea.
Gjiganti bavarez ka mposhtur Chelsean me rezultatin 4:1, për të prerë biletën për çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, me rezultatin e përgjithshëm 7:1 nga dy ndeshjet.
Bayern e nisi vrullshëm edhe ndeshjen e dytë, duke shënuar qysh në minutën e 10’ me anë të Robert Lewandowski, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Kampionët e Bundesliga dyfishuan epërsinë me anë të kroatit Ivan Perisic, i cili në minutën e 24’ shënoi për 2:0.
Chelsea reagoi fillimisht me anë të Hudson Odoi në minutën e 28’, por ky gol u anulua nga VAR.
Një minutë para fundit të pjesës së parë, Tammy Abraham shënoi golin e parë të ‘Bluve’, për rezultatin 2:1.
Por, në 45 minutëshin e dytë Bayern arriti që të gjente golin edhe dy herë. Fillimisht Corentin Tolisso shënoi për 3:1 në minutën e 76′, kurse Robert Lewandowski vulosi rezultatin final 4:1 në minutën e 84′.
Kështu, Bayern kalon në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku aty do të përballet me skuadrën e Barcelonës.