BDI dënon ashpër deklaratat e ministres maqedonase të Arsimit: UÇK për shqiptarët është historia

17:38 | 02 December 2024
bdi-denon-ashper-deklaratat-e-ministres-maqedonase-te-arsimit:-uck-per-shqiptaret-eshte-historia

Bashkimi Demokratik për Integrim ka dënuar deklaratat e ministres maqedonase të Arsimit, Vesna Janevska, e cila kishte thënë se UÇK nuk përfaqëson asgjë në shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Siç thuhet në reagimin e BDI-së, këto komente të saj, janë fyerje e rëndë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe një tentativë për të shuar kujtesën dhe sakrificat historike të popullit shqiptar për UÇK-në.

Për më shumë, ja qëndrimi i plotë i BDI-së:

”Deklaratat e Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, janë fyerje e rëndë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe një tentativë për të shuar kujtesën dhe sakrificat historike të popullit shqiptar. Të thuash se UÇK “nuk përfaqëson asgjë për këtë shtet” është një akt i papranueshëm, që tregon mungesë respekti ndaj një pjese të rëndësishme të popullatës dhe një përpjekje për të fshirë kontributin e shqiptarëve në këtë vend.
UÇK nuk është “asgjë” për shqiptarët – ajo përfaqëson sakrificën për barazi, drejtësi dhe dinjitet. UÇK për shqiptarët është simbol i përpjekjeve për një shoqëri më të drejtë dhe për ndërtimin e një shteti ku çdo qytetar të jetë i barabartë. Çdo përpjekje për të mohuar këtë të vërtetë historike është një akt diskriminimi që thellon ndarjet ndëretnike dhe dëmton ndjeshëm harmoninë shoqërore.
Kjo qasje selektive dhe hipokrite është e papranueshme. Të nderosh Komitët, ndërsa përbuz UÇK-në, është dëshmi e standardeve të dyfishta dhe mungesës së sinqeritetit nga kjo qeveri.
Si mund të ndërtojmë një shoqëri të përbashkët, kur një Ministre e Arsimit, në vend që të promovojë vlera të barazisë dhe respektit të ndërsjellë, flet me një gjuhë përjashtuese dhe fyese për një pjesë të qytetarëve të këtij vendi? A është kjo mënyra si kjo qeveri synon të promovojë bashkëjetesën dhe të ndërtojë një të ardhme për të gjithë?
Bashkimi Demokratik për Integrim dënon fuqishëm këtë qasje dhe kërkon që Ministrja të tërheqë menjëherë deklaratën fyese dhe të kërkojë falje publike. Ne gjithashtu kërkojmë që kjo qeveri të reflektojë dhe të ndalojë përdorimin e standardeve të dyfishta që thellojnë ndarjet dhe rrisin tensionet ndëretnike.
UÇK për shqiptarët është historia, sakrifica dhe krenaria jonë. Kushdo që e nënvlerëson këtë simbol të rëndësishëm duhet të kuptojë se nuk mund të ndërtojë një të ardhme të përbashkët duke fyer dhe përjashtuar një popull të tërë. Shqiptarët kanë dhënë gjithmonë kontribut për këtë shtet dhe nuk do të lejojnë kurrë që historia e tyre të reduktohet në “asgjë”.
Me shumë gjasa, kjo deklaratë është koordinuar me marionetat tuaja të koalicionit, Vredi”.

Komento: