BE do të ndalojë vrullin e emigrantëve – nis ndërtimin e gardhit prej 550 km

21:11 | 10 Korrik 2021

Nis ndërtimi i gardhit 550 km, i bllokon emigrantëve hyrjen në vendet e BE’së.

550 km gardh do të ndërtojë Lituania përgjatë kufirit me Bjellorusinë në përpjekje për t’i ndaluar emigrantëve hyrjen në mënyrë të paligjshme në vendet e Bashkimit Evropian.

Njoftimi i kryeministres Ingrida Simonyte i ka përshkallëzuar kështu edhe më shumë mosmarrëveshjet me Minskun. Ky vendim vjen në mesin e akuzave në rritje se Bjellorusia po lejon kalimet në Lituani në formë shpagimi ndaj sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Vilniusi u detyrua të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të emigrantëve të paligjshëm, të cilëve sipas tyre, autoritetet bjelloruse i kanë dhënë drite të gjelbër kalimi.

Lituania, anëtare e bllokut 27 anëtarësh, është shtëpi e disa figurave te rëndësishme opozitare nga Bjellorusia, te larguara drejt këtij fqinj për t`i shpëtuar përndjekjes.

Simonyte njoftoi se ka nisur tashme ngritja e një barriere të mirëfilltë fizike e cila do të ndajë dy shtetet dhe do të bllokojë fluksin e klandestinëve. Që prej fillimit të qershorit, përgjatë kufirit 680 km që Lituania ndan me Bjellorusinë, janë regjistruar më shumë se 1000 kalime të paligjshme.

Komento: