Heshtja e Bashkimi Evropian kundrejt sulmeve të Serbisë ndaj Kosovës.
Përderisa të shtunën u ndaluan nga autoritetet serbe këshilltari në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj, Srdjan Jovanoviq, dhe këshilltari në Ministrinë e Bujqësisë, Srecko Spasiq, Bashkimi Evropian në anën tjetër po vazhdon të qëndrojë i heshtur kundrejt sulmeve të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës.
Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka dalë me një reagim as dy ditë pas ndalimit të dy zyrtarëve serbë të Qeverisë e Kosovës, Srdjan Jovanoviq, këshilltar në zyrën e kryeministrit Haradinaj, dhe Srecko Spasiq këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë, të cilët të shtunën u ndaluan nga Policia e Serbisë në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.
Ndalimi i zyrtarëve qeveritarë, kryesisht që vijnë nga radhët e Partisë Liberale Serbe të Kosovës, ka filluar që nga dhjetori i vitit të kaluar derisa deri më tani 9 zyrtarë serbë që janë pjesë e institucioneve të Kosovës janë ndaluar dhe janë intervistuar nga këto organe, raporton “Zëri”.
Për një periudhë më të shkurtër se një vit Beogradi zyrtar ka ndaluar edhe kreun e Partisë Liberale Serbe të Kosovës Slobodan Petroviq, bashkëpunëtorët e tij Boban Stankoviq dhe Nebojsha Jakovljeviq, këshilltarë në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës.
Përpos tyre në janar të këtij viti Beogradi ka ndalur edhe dy pjesëtarët serbë të Ushtrisë së Kosovës Alen dhe Anel Ujkanoviq, të cilët ishin intervistuar nga autoritetet serbe për disa orë radhazi.
Sulmet e tilla të Serbisë drejt Kosovës përfaqësues të institucioneve të Kosovës i kanë quajtur të papranueshme dhe i kanë vlerësuar si provokime direkte të Serbisë.