Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje që zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës të shpallen sa më shpejt në mënyrë “që t’i jepet fund krizës aktuale”.
Një zyrtar i BE-së ka bërë të ditur se BE-ja mbetet e shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës dhe vazhdon të bëjë thirrje për deeskalimin e menjëhershëm nga të dyja palët.
“Për më tepër dhe për t’i dhënë fund krizës aktuale, zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës. BE-ja ka bërë kërkesa specifike për de-përshkallëzimin për të dyja palët (sipas Deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor, propozimit të Përfaqësuesit të Lartë për të dyja palët më 22 qershor dhe konkluzioneve të Këshillit Evropian të 30 qershor). Në deklaratën e 3 qershorit, të rënë dakord nga të 27 shtetet anëtare, BE tha qartë se ishte e gatshme të merrte masa të vendosura në rast të dështimit për të de-përshkallëzuar”, thuhet në përgjigjen e BE-së për RTV Dukagjini.
Tutje thuhet se BE-ja mirëpret njoftimin e Qeverisë së Kosovës për një reduktim të menjëhershëm prej 25% të pranisë së policisë në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, si dhe përkushtimin për uljen e mëtejshme të shkallës pas vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe – nëse të përshtatshme – KFOR.
“Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm. BE-ja i kërkoi Kosovës që të veprojë në mënyrë jo shkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet e policisë brenda dhe në afërsi të katër ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Katër kryetarët e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale”.
BE-ja thekson se është thelbësore që të ketë zbatim të shpejtë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve dhe Aneksit të zbatimit të saj kështu duke përmendur edhe themelimin e “Asociacionit së Komunave me shumicë serbe”.
Ndryshe, tensionet në Kosovë janë rritur, pas hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunave në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.
Komuniteti serb dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, por as nuk i pranojnë kryetarët e rinj.
Tensionet kanë kulmuar edhe me dhunë mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.