BE-ja mbledh ndihma për t’i dërguar në Liban

16:45 | 05 August 2020

BE-ja mbledh ndihma nga vendet anëtare për t’i dërguar në Liban.

Bashkimi Evropian e ka aktivizuar sistemin e mbrojtjes civile për të mbledhur punëtorë të ekipeve emergjente dhe pajisje të nevojshme nga 27 vendet anëtare për t’i ndihmuar Bejrutit të Libanit.

Komisioni Evropian tha se plani është që urgjentisht të mblidhen 100 zjarrfikës me automjete, qen nuhatës dhe pajisje për gjetjen e njerëzve të ngujuar nën rrënoja në zonat urbane, shkruan “The Guardian”.

Gjermania, Franca, Polonia, Holanda, Republika Çeke dhe Greqia janë duke marrë pjesë në sigurimin e këtyre mjeteve dhe stafit ndihmës, ndërsa pritet që aksionit t’i bashkohen edhe vendet e tjera.

Sistemi satelitor i hartave i Bashkimit Evropian do të përdoret për t’i ndihmuar autoritetet për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi.

Komisioneri për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic, tha se BE-ja e ndan me libanezët shokun dhe pikëllimin dhe qëndron e gatshme për të ofruar ndihmë shtesë.

Komento: