BE-ja për mbylljen e institucioneve paralele serbe: Veprimet bien ndesh me detyrimet e Kosovës

17:38 | 15 January 2025
be-ja-per-mbylljen-e-institucioneve-paralele-serbe:-veprimet-bien-ndesh-me-detyrimet-e-kosoves

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim ndaj Kosovës për veprimet e fundit që lidhen me mbylljen e strukturave paralele në veri të vendit.

Në një reagim zyrtar, BE-ja deklaron se këto veprime janë në kundërshtim me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së.

Tutje në reagim thuhet se masat kundër Kosovës do të hiqen gradualisht në përputhje me hapat e saj për uljen e tensioneve në veri, veprimet e fundit të Kosovës “nuk janë të favorshme për këtë qëllim”.

“Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i po monitoron kryerjen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij,” thuhet në deklaratën e BE-së.

Bashkimi Evropian, nënvizon se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia duhet të zgjidhet përmes dialogut.

“Kosova duhet të demonstrojë dhe të qëndrojë konsistente me obligimet e saj në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe riangazhimit të fundit të saj ndaj tij”, thuhet tutje në njoftim.

Të mërkurën, Policia Kosovës, ka ndërmarrë një aksion për mbylljen e komunave paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj, si dhe posteve dhe zyrave tatimore ilegale.

Komento: