BE-ja thotë se ka vetëm tre pjesëmarrës në takimin Kosovë-Serbi të së mërkurës, pa SHBA-në.
Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në bisedimet e përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë mbi situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar më herët për Klankosova.tv një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Por, të kundërtën e ka thënë një burim brenda BE-së për Klankosova.tv.
“Dialogu ka tre pjesëmarrës: Dy aktorët kryesorë (Kosova dhe Serbia) dhe një lehtësues (BE-ja)”, ka thënë ky burim.
Takimi në Bruksel mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë vjen pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitet për targat serbe nga ana e Kosovës.
Këtë takim mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator kosovar dhe shefit negociator serb Petar Petkoviq, e ka konfirmuar gjatë ditës për Klankosova.tv, zëdhënësi për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Peter Stano.
SHBA dhe BE kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhjen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.