BE kërkon të ofrohen kushtet për zgjedhje të qeta në veri, shprehet e zhgënjyer me bojkotimin e Listës Serbe

21:41 | 21 Prill 2023

Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova dhe Serbia e kanë për detyrë që ta bëjnë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës nëpër institucionet e vendit dhe njëkohësisht të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike, dhe paqësore.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka kërkuar që të krijohen kushtet e nevojshme të sigurisë për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore të dielën.

I njëjti ka thënë se BE është zhgënjyer me faktin se Lista Serbe i ka bojkotuar zgjedhjet.

“Është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore, pavarësisht se zgjedhjet janë shtyrë nga dhjetori në prill dhe afati për kandidaturat është shtyrë gjithashtu. Sigurimi që zgjedhjet të zhvillohen në kushte paqësore është thelbësore dhe BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje”, tha Stano për RTV 21.

Sipas zëdhënësit të BE-së, strukturat institucionale nuk kanë bërë aq sa duhet për kthimin e serbëve nëpër pozita në nivel lokal.

“Është e domosdoshme që të kthehemi në një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë”, tha ai.

Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan do të mbahen këtë të diel, me 23 prill.

Nga këto zgjedhje do të zgjidhen katër kryetarët e rinj të komunave dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Komento: