BE me porosi të ashpër dhe të qartë për politikanët

16:22 | 28 January 2019

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka bërë thirrje që subjektet politike të mos ndërhyjnë në punët e agjencive të pavarura e aq më pak të Agjenicë për Akreditim, e cila si pasojë e këtyre ndërhyrjeve është përjashtuar nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë.

Si dhe, përkundër kësaj ka vënë në rrezik edhe anëtarsimin në Asociacion Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, transmeton ORAinfo.

Kjo është deklarata e plotë:


Sot pata nderin të takohem me anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKK) dhe të informohen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Zotimi i tyre ndaj misionit që kanë është mbresëlënës dhe duhet të shërbejë si shembull.
Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të Agjencisë. Vendimet e tilla ende nuk janë finalizuar dhe disa prej tyre mund të shqyrtohen më tej nga Komisioni i Ankesave.
Asnjëherë nuk duhet avokuar për ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura. Ishte pikërisht ndërhyrja e autoriteteve që rezultoi me përjashtimin e AAK-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Në vazhdim, Apolstova tregon që veprimet dhe ndërhyrjet e tilla kanë ndikim te studentët duke i limituar ata në ndjekjen e studimeve në vazhdim, raporton ORAinfo.

Kjo ka pasoja të rënda për studentët e Kosovës, duke dëmtuar aftësinë e tyre për të ndjekur studime ose për të kërkuar punë jashtë vendit.
BE-ja përgjatë viteve ka investuar shumë në reforma në arsim në Kosovë, politikisht dhe financiarisht, për të ndihmuar në sigurimin e arsimit cilësor për të rinjtë e Kosovës. Përcaktimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës për ta zbatuar këtë në praktikë është një inkurajim për Bashkimin Evropian që të rrisë angazhimin në këtë sektor.
U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës dhe partive politike që të mbështesin plotësisht punën tonë të vazhdueshme të reformave në arsim. Agjencia e Akreditimit e Kosovës dhe puna e tyre për të siguruar arsim cilësor për qytetarët e rinj të tyre, është gjithashtu vendimtare dhe kërkon mbështetje politike.

Komento: