BE paralajmëron Kosovën dhe Serbinë: Normalizimi i marrëdhënieve kusht për integrimin evropian

22:37 | 17 Dhjetor 2025

Sot në Bruksel u zhvillua Samiti BE–Ballkani Perëndimor, pas të cilit liderët evropianë publikuan një deklaratë të përbashkët në të cilën riafirmuan angazhimin e tyre të plotë për anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Mirëpo në një nga pikat e kësaj deklarate ka një kritikë drejtuar Kosovës dhe Serbisë, kjo për shkak të mungesës së marrëdhënieve normale mes tyre. Sipas liderëve të BE-së, dy vendet po pengojnë integrimin e njëri-tjetrit.

“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon të pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre evropiane. Të gjitha marrëveshjet e arritura në Dialogun e lehtësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj. Mbështetja në kuadër të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet me angazhimin konstruktiv të partnerëve, me përparim të matshëm dhe rezultate konkrete në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.”, thuhet në këtë deklaratë.

Në këtë samit, mori pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa mungoi Serbia.

“Për herë të parë në 13 ose 14 vitet e fundit, as unë dhe as dikush tjetër nuk do të shkojmë në atë konferencë ndërqeveritare. Askush nuk do ta përfaqësojë Republikën e Serbisë, kështu që Ballkani Perëndimor do të jetë pa Republikën e Serbisë”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq kur njoftoi se nuk do të merrte pjesë.

Kosova ndërkohë është i vetmi vend pjesëmarrës në këtë samit, nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022.

Komento: