Duke reaguar ndaj vendimit të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, që mohimi i gjenocidit të jetë vepër e dënueshme, Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen që gjenocidi në Srebrenicë të mos mohohet.
BE-ja po ashtu ka kërkuar që liderët politikë të përmbahen nga retorika nxitëse.
“Kemi marrë në dijeni miratimin e Ligjit kundër mohimit të gjenocidit. Ky është një vendim nga ana e përfaqësuesit të lartë (Valentin) Inzko. Duam të jemi të qartë: revizionizmi dhe mohimi i gjenocidit janë kundër vlerave fondamentale evropiane”, ka thënë një zëdhënës i BE-së.
I njëjti ka thënë se pajtimi është një prej prioriteteve kryesore që Bosnja e Hercegovina duhet të përmbushë në mënyrë që të ecë në rrugën drejt BE-së.
“BE-ja ka qenë e qartë në pritjet e saja në këtë drejtim, së fundmi edhe në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesit të lartë (Josep) Borrell dhe komisionarit (Oliver) Varhelyi, që kanë lëshuar me rastin e 26-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë”, ka thënë ky zëdhënës.
Borrell dhe Varhelyi, në atë deklaratë kishin thënë se në Evropë nuk ka vend për mohim të gjenocidit dhe se përpjekjet për të relativizuar ose mohuar gjenocidin, apo për të rishkruar historinë, janë të papranueshme.
“BE-ja pret nga liderët në Bosnje e Hercegovinë që të veprojnë në mënyrë sovrane dhe të marrin hapa konkretë për të promovuar një hapësirë të përshtatshme për pajtim në mënyrë që të tejkalohet trashëgimia e luftës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të BE-së, raporton evropaelire.
Në të njëjtën përsëritet se BE-ja është e përkushtuar ndaj sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Bosnje e Hercegovinës.
“BE-ja u bën thirrje të fuqishme të gjithë liderëve politikë që të përmbahen nga përdorimi i retorikës përçarëse dhe nxitëse dhe të përmbahen nga ndërmarrja e hapave të cilat mund të pengojnë perspektivën evropiane të këtij shteti”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Përkundër thirrjeve të vazhdueshme që të mos mohohet gjenocidi në Srebrenicë, Serbia si dhe partitë serbe dhe pro-serbe në vendet fqinje, si në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi, vazhdojnë të mohojnë këtë gjenocid.