BE: Po punojmë për takimin e ardhshëm Kosovë-Serbi, këto tema do të diskutohen – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

BE: Po punojmë për takimin e ardhshëm Kosovë-Serbi, këto tema do të diskutohen

09:04 | 03 Dhjetor 2020

I dërguari i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi në Parlamentin Evropian se po punojnë për përgatitjen e një takimi të ri në nivelin më të lartë brenda dialogut dhe se çështjet e pronës dhe zgjidhja e kërkesave pronësore janë në tryezën e bisedimeve.

Lajçak tha në Komitetin e Politikës së Jashtme të BE, me rastin e 25-vjetorit të marrëveshjes së Dejtonit, se dialogu Kosovë-Serbi duhet të çojë në një “marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhë të gjitha problemet ekzistuese njëherë e përgjithmonë”.

Ai vlerësoi se në negociatat e deritanishme “është arritur përparim i plotë në zgjidhjen e çështjes së të zhdukurve”, teksa vuri në dukje se normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe situata në Bosnjë dhe Hercegovinë janë dy çështje kryesore në Ballkanin Perëndimor.

Ka tashmë disa muaj që Kosova dhe Serbia nuk janë ulur në bisedime të nivelit të lartë të liderëve. Takimi i fundit mes dy vendeve është bërë në nivel të ekspertëve e është mbajtur me datë 29 tetor në Bruksel.

Në takimin e 29 tetorit, koordinatori i Kosovës për dialog, Skënder Hyseni dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq kanë diskutuar për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës midis dy vendeve.

Në Bashkimin Evropian, ashtu si në Qeveri të Kosovës, mohojnë që ka ndonjë çështje që i ka larguar palët prej tavolinës së bisedimeve, duke thënë se sapo të krijohen kushtet do të takohen përsëri Hoti dhe Vuçiq me ndërmjetësimin e Lajçakut.

Komento: