Bashkimi Europian prezanton këtë muaj pasaportën e vaksinës për COVID-19.
Ndërsa gjendemi në pandeminë e koronavirusit, Brukseli do të paraqesë një projekt-ligj këtë muaj për të krijuar të ashtuquajturën pasaportë vaksinimi, ka njoftuar Presidentja e Komisionit Europian (KE) Ursula von der Leyen.
Kjo pasaportë do të quhet Digital Green Pass (Pasaportë Digjitale Jeshile), dhe përfshin detaje të tilla si nëse personi është vaksinuar, rezultatet e mëparshme të testit COVID-19 si dhe deklaratat mjekësore, njofton Klan Kosova.
Projektligji do të pasohet nga të paktën tre muaj punë teknike.
Digital Green Pass ”duhet të lehtësojë jetën e europianëve”, deklaroi von der Leyen.
”Qëllimi është që t’u mundësojë atyre që në mënyrë graduale të lëvizin të sigurt brenda Bashkimit Europian ose jashtë për punë ose turizëm”.
Politika shëndetësore është një kompetencë e vendeve të BE-së dhe Komisioni Europian nuk ka shumë për të thënë në këtë fushë të politikave.
Sidoqoftë, pasaporta e vaksinës do të bazohet në lirinë e lëvizjes brenda territorit të BE, një fushë ku Brukseli ka kompetenca më të mëdha ekzekutive dhe legjislative.
”Ne po punojmë drejt lehtësimit të lëvizjes së sigurt dhe të lirë në Bashkimin Evropian, jo duke e kufizuar atë”, tha zëdhënës i Komisionit Europian, Eric Mamer.
Mamer nuk ishte në gjendje të shpjegonte nëse qytetarët që nuk janë pjesë e BE-së mund ta merrnin këtë pasaportë
”Në mënyrë që të ecim përpara, KE do të ketë nevojë që vendet anëtare të veprojnë shpejt, veçanërisht në lidhje me ”sistemet e IT dhe ndërlidhjet”, shtoi ai.