Bashkimi Evropian, ka qenë i ashpër për marrëveshjen e fundit të arritur mes Rusisë dhe Serbisë.
Në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel nuk e kanë pritur mirë bisedën e fundit telefonike midis presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe atij rus, Vladimir Putin.
Sipas njoftimeve nga Serbia dhe Rusia, në bisedën e zhvilluar më 29 maj, Vuçiq dhe Putin kanë biseduar për vazhdimin e “partneritetit strategjik mes Rusisë dhe Serbisë” dhe për furnizimin e Serbisë me naftë dhe gaz rus me çmim të volitshëm.
Kjo ndodhi edhe përkundër thirrjeve të BE-së që Serbia të mos afrohet me Rusinë, sepse, siç ka thënë më herët shefi i diplomacisë së bllokut, Josep Borrell, “të mbash lidhje të ngushta me regjimin e [presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit nuk është më në përputhje me ndërtimin e së ardhmes në BE.
“Në rrethanat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ndaj rendit ndërkombëtar, BE pret nga Serbia që si vend kandidat të mos forcojë edhe më shumë lidhjet e saja me Rusinë. Nga vendet kandidate pritet po ashtu që gradualisht të përshtatin politikat e tyre ndaj vendeve të treta me qëndrimet dhe politikat e miratuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe masat kufizuese”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme.
Ai shtoi se BE-ja pret nga të gjitha shtetet kandidate që “tërësisht të përshtatin me bllokun prioritetet ligjore dhe politike, përfshirë edhe ato nga komunikata ‘RepoëerEU’ që cakton ambiciet e BE-së për t’i dhënë fund importit të naftës ruse dhe produkteve të saj”.
Blloku evropian po ashtu rikujtoi se e ka ndihmuar Serbinë që të zvogëlojë varësinë e saj nga energjia ruse.
Si mesazh të rëndësishëm për Serbinë dhe për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në BE përmendin edhe mundësinë që të marrin pjesë në prokurimin e përbashkët të gazit.
BE-ja po ashtu rikujtoi edhe ndihmën që jep përmes planit për investime në Ballkan, që forcon sigurinë e furnizimit me energji përmes investimeve në energjinë e ripërtërishme, ndërtimin dhe rehabilitimin e korridorit elektrik Trans-Ballkanik.
“Qëllimi është që të zvogëlohet varësia nga nafta, të ndihmohen partnerët me një rrjet më të mirë të integruar të energjisë dhe qasje në burimet e shumëfishta të energjisë. Nisja e punës në interkonektorin e gazit Serbi-Bullgari, për të cilin BE-ja ka ndarë 50 milionë euro, është një hap i rëndësishëm i bllokut evropian dhe Serbisë për të siguruar diversifikim të furnizimeve të Serbisë me gaz. Në kontakte të afërta me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, po ashtu monitorojmë edhe situatën e çmimeve dhe sigurinë e furnizimit në tërë rajonin”, tha Stano.
Ndonëse në BE aktualisht nuk flasin se cilat mund të jenë pasojat konkrete për vazhdimin e raporteve të afërta midis Serbisë dhe Rusisë, burimet diplomatike thanë se kjo afërsi mund të reflektohet në procesin e bisedimeve për anëtarësim në bllok.
“Gjasat që Serbia të hapë kapituj të rinj në procesin e negociatave tani duken shumë joreale”, tha një diplomat i lartë i BE-së, i cili shtoi se “nuk pritet që në formë formale të shpallen sanksione ndaj Serbisë”.
Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Në BE thanë se vazhdojnë të presin që Beogradi të mbështesë sanksionet e bllokut ndaj Rusisë./