BE: Serbia ta sqarojë çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë

14:38 | 21 November 2024
be:-serbia-ta-sqaroje-ceshtjen-e-pasivizimit-te-adresave-te-shqiptareve-ne-lugine

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Serbisë që ta sqarojë çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë. Zëdhënësja për zgjerim në Komisionin Evropian, Ana Pisonero, ka thënë se BE-ja është në dijeni të shqetësimeve të shqiptarëve në Serbi sa i përket kësaj çështjeje.

Ajo i ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të sqarojnë për publikun “se si janë kryer kontrollet e vendbanimeve që kanë rezultuar me pasivizimin e adresave dhe nëse jugu i Serbisë është vënë veçanërisht në shënjestër”.

Gjykata Kushtetuese e Serbisë së fundmi ia ka hedhur poshtë ankesën një banori shqiptar nga Medvegjë për kthimin e adresës së tij.

“Ne kemi marrë në dijeni shqetësimet për pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptarë në Serbi. Jemi duke ndjekur këto zhvillime në frymën e obligimeve që ka marrë Serbia në kuadër të negociatave të anëtarësimit, sidomos ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave”, ka thënë Pisonero.

Ndërkaq, ajo nuk është përgjigjur nëse kjo çështje mund të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 20 nëntor ka thënë se vendimi i Kushtetueses së Serbisë për banorin nga Medvegja cenon të drejtat themelore të njeriut. Ka theksuar se vendimi i saj legjitimon praktikën diskriminuese të pasivizimit të adresave ndaj shqiptarëve.

Kurse presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të enjten ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë trysni Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve.

E, çështja e pasivizimit të adresave ishte përmendur edhe në Raportin e Progresit për Serbinë. /koha.net/

Komento: