BE: Thaçi udhëheq me dialogun

10:23 | 18 December 2018

Bashkimi Evropian (BE) i ka reaguar kryeministrit Ramush Haradinajt pas rezolutës për dialogun, ku kanë bërë të ditur se presidenti Hashim Thaçi do të udhëheq me dialogun.

BE përmes një letre dërguar Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, ia bën të qartë Qeverisë së Kosovës se në çfarë niveli ka filluar dhe duhet të vazhdojë dialogu Kosovë – Serbi.

Në një letër që kryeministri Haradinaj ka pranuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionerja për tregti, Cecilia Malmstrom , si dhe komisioneri Johannes Hahn, thuhet se dialogu Kosovë – Serbi nga pala kosovare udhëhiqet nga presidenti Thaçi.

Përfaqësuesit e BE-së në këtë letër shkruajnë se rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është një zhvillim i rëndësishëm dhe do të kontribuojë për ta forcuar peshën e autoriteteve të Kosovës dhe do të duhej të mundësonte lehtësimin, përshpejtimin e vazhdimit të procesit në mënyrë konstruktive, në kuadër të organizimit aktual të Dialogut të Nivelit të Lartë.

“Ne e mirëpresim atë dhe e konsiderojmë si një input në kuadër të qëndrimeve të Kosovës që do të shprehen nga presidenti i saj në dialogun aktual, që përbën për BE-në kornizën e vetme reale për adresimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në letrën e përfaqësuesve të lartë evropianë. Ata e akuzojnë Haradinajn se me vendimet e njëanshme është duke rrezikuar përparimin që është arritur në këtë dialog. “Ne fuqimisht nuk pajtohemi me vlerësimin tuaj se dialogu po ngecë. Përkundrazi, dialogu i udhëhequr nga dy presidentët po shënonte dhe ka shënuar progres të qëndrueshëm. Ne e kemi ndarë këtë vlerësim me liderët e BE-së në Këshillin Evropian këtë dhjetor dhe kemi marrë mesazhe inkurajuese të përkrahjes”, thuhet në këtë letër.

Përfaqësuesit evropianë shkruajnë se veprimi i njëanshëm apo deklaratat në kohë jo të duhur, nga cilado palë, mund të jenë vetëm të dëmshme dhe do të ngadalësojnë progresin që mund të arrihet brenda kornizës së dialogut.

Komento: