
Vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka marrë mbështetje nga shtetet e Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian në njoftimin për media pas takimit, ka thënë se për shkak të perspektivës së qartë që Ballkani Perëndimor ka për Bashkimin Evropian, Mogherini dhe përfaqësuesit e rajonit kanë rishikuar progresin substancial të arritur dhe kanë shikuar detyrat që i presin.
“Ata shfaqën mbështetjen për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Maqedoninë Veriore dhe për Shqipërinë, duke theksuar se ky vendim është qenësor, jo vetëm për dy vendet e përfshira, por për tërë rajonin dhe për BE-në. Të gjithë ata mbështetën vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e hershme të një marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën e BE-së, raporton Koha.net.
Tutje theksohet se të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuar përkushtimin e tyre të fuqishëm drejt perspektivës së BE-së, duke potencuar se puna në reforma vazhdon sikurse edhe bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Mogherini dhe liderët e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritet me Shqipërinë pas tërmeteve të fuqishme atje gjatë fundjavës.
Thaçi takohet me Daçiqin e Mogherinin në Nju Jork
Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, ka organizuar një darkë pune me përfaqësues nga Ballkani Perëndimor në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Në takim ishin prezentë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ai serb, Ivica Daçiq, pastaj ministri i Jashtëm i Këshillit të Ministrave të BeH-së me mandat teknik, Igor Cërnadak e kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, raporton Koha.net.
Nga Brukseli është njoftuar se BE-ja vazhdon të jetë lider në bashkëpunimin global dhe se në bashkëpunim me partnerët do të vazhdojë të mbështes paqen dhe demokracinë dhe të promovojë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.