‘Bechtel & Enka’ mori 49 milionë euro dhe nuk kreu punët shtesë në autostradën ‘Arbën Xhaferi’

14:00 | 03 November 2020

Ministria e Infrastrukturës ka ekzekutuar paga me vlerë prej 156 mijë e 151 euro për 32 punëtorët, të cilët nuk kanë dalë në punë gjatë vitit 2019.

Kjo çështje është ngritë me shqetësim nga e deputetëve të VV-së gjatë shqyrtimit të raportit të auditorit ku raportoi ministri Infrastrukturës, Arban Abrashi në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Abrashi tha se janë ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, pasi siç tha kjo është edhe për shkak të një marrëveshje politike në Bruksel për komunitetin serb.

Deputeti Eman Rrahmani tha se të gjeturat për keqmenaxhim dhe keqklasifikim nga ish-ministri Pal Lekaj duhet të adresohen në prokurori dhe se ai tashmë deputet i AAK-së duhet të përfundoj në burg.

“Ministria e Infrastrukturës kishte angazhuar 32 punonjës në njësitë e saja në komuna, për të cilët nuk ka asnjë dëshmi që konfirmon vajtje-ardhjen e tyre në punë”, tha Rrahmani.

Gjatë raportimit, ministri Abrashi theksoi se është e pa drejt të marrin përgjegjësit e qeverisjes së kaluar, derisa shtoi se kanë për obligim të zbatojnë rekomandimet e dala nga auditori, që sipas tij shumica e këtyre rekomandimeve janë zbatuar.

Për marrëveshjen 53 milionë euro, mjete shtesë për kompaninë “Bechtel & Enka”, nënkryetari i Komisionit, njëherësh kryesues, Enver Haliti tha se Ministria e Infrastrukturës deri tash ka paguar 48 milionë euro për “Bechetel & Enka”.

Ndërsa, sipas Halitit punët shtesë nuk janë bërë nga kjo kompani në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Megjithëse për këtë ministri Abrashi nuk pati përgjigje, por sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës tha se për këtë nuk ka kontratë.

Abrashi premtoi se për këtë do të përgatitin një përgjigje me shkrim.

Mirëpo, përfaqësuesi i Auditorit në këtë mbledhje tha se ka marrëveshje që është arritur nga Ministria me kompaninë “Bechtel & Enka” në shtator të vitit 2018.

E që sipas tij, deri tash janë alokuar 49 milionë euro, dhe kanë mbetur të ekzekutohen edhe 4 milionë.

Deputetët shprehen interesim edhe për çështjen e homologimit të automjeteve. /KP/

Komento: