
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka ushtruar sot të drejtën e votës në Mitrovicë, në kuadër të zgjedhjeve nacionale.
Pas votimit, Hamza theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe rolin vendimtar të votës në ndërtimin e së ardhmes së vendit.
“Sot, ne e përmbushëm obligimin qytetar. Votova si Kandidat për Kryeministër, si prind dhe si qytetar, me besim në të ardhmen e vendit tonë. Vota është përgjegjësi dhe themel i demokracisë. I ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të votojnë për një qeveri që bashkon, garanton stabilitet, zhvillon ekonominë dhe punon për një të ardhme më të mirë për të gjithë.”
Hamza u bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar, duke theksuar se vetëm përmes pjesëmarrjes aktive mund të ndërtohet një qeverisje e përgjegjshme dhe një e ardhme më e qëndrueshme për Kosovën.