
Në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së fundit, kreu i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, ka kërkuar vëmendje të shtuar dhe veprime konkrete për vendosjen e drejtësisë.
Lideri i PDK-së tha se heshtja e armëve nuk nënkupton përfundimin e luftës. Ai shtoi se një konflikt mbyllet vërtet vetëm atëherë kur mijëra burra dhe gra, që ende bartin plagët e rënda të së kaluarës, të shohin drejtësinë të vihet në vend.
“Derisa këto krime mbeten të pandëshkuara, ndërgjegjja jonë kolektive dhe ajo ndërkombëtare mbetet e sfiduar. Nuk mund të ketë paqe të plotë pa drejtësi të plotë,” tha Hamza.
Hamza e cilësoi dhunën seksuale jo si një akt të izoluar apo të rastësishëm, por si një mjet lufte dhe strategji të mirëmenduar nga aparati shtetëror i Serbisë, me synim thyerjen e vullnetit të popullit. Kreu i PDK-së vlerësoi lart qëndresën e pashoq të qytetarëve përballë kësaj mizorie.
“Gratë dhe burrat e Kosovës nuk u thyen. Ata triumfuan mbi dhunën, duke ruajtur dinjitetin dhe duke ndërtuar jetën përpara,” u shpreh ai.