Bedri Hamza: Përkrahja për bizneset dhe punëtorët është prioritet në qeverinë time

16:38 | 24 December 2024
bedri-hamza:-perkrahja-per-bizneset-dhe-punetoret-eshte-prioritet-ne-qeverine-time

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një takim me bizneset në Gjilan.

Hamza ka thënë se bizneset rrallë e marrin mirënjohjen që ju takon për atë që bëjnë për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

“E di që nuk janë të shumtë ata që ua thonë se ju jeni themeli i shtetit të Kosovës dhe se sukseset e Kosovës e ushqejnë dhe e mbajnë gjallë shtetin e Kosovës. Unë jam një nga ata që e di shumë mirë këtë dhe prandaj është kënaqësi të kem mundësinë t’ua them këtë. Programi im për qeverinë e ardhshme të Kosovës e ka një nga shtyllat kryesore përkrahjen për biznesin privat”, ka thënë Hamza.

Ai ka thënë se zotimi i parë i tij është që të përmirësohet barra tatimore për bizneset.

“Ne do ta ndryshojmë praktikën e deritanishme të pagesës së TVSh-së për mallrat e importuara në kufi, e cila i ka ngarkuar bizneset ta paguajnë TVSh-në para se ta shesin produktin, praktikë kjo e padrejtë për bizneset. Do ta transferojmë mbledhjen e TVSh-së brenda Kosovës, në mënyrë që biznesi ta paguajë TVSh-në pasi ta ketë shitur produktin”, ka thënë Hamza.

Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka thënë se bizneset e vogla me qarkullim vjetor deri në 10 mijë euro, përjashtuar aktivitetet e shërbimeve si avokatura apo konsulenca, do të jenë të liruara nga tatimi.

“Për më tepër, bizneset e shërbimeve me qarkullim vjetor ndërmjet 10 mijë euro dhe 30 mijë euro do të tatohen bazuar në fitimin real pas zbritjeve të lejuara”, ka thënë Hamza.

Ai ka treguar se bizneset që investojnë mbi 500 mijë euro apo punësojnë mbi 50 punëtorë do të lirohen nga tatimi në fitim për periudha të caktuara kohore.

Po ashtu, Hamza ka treguar se do ta shfuqizojë edhe ligjin aktual për tatimin në pronë, për të siguruar barrë të përballueshme tatimore për familjet dhe bizneset.

Komento: