Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka shprehur mbështetje të fortë për kërkesat e Sindikatës së Arsimit, duke theksuar se arsimimi është kyç për zhvillimin e shoqërisë.
“I mbështes kërkesat e Sindikatës së Arsimit, sepse mbështetja e tyre është mbështetje për një shoqëri më të arsimuar dhe më të zhvilluar,” ka deklaruar Hamza.
Ai ka premtuar rritje të investimeve në sektorin e arsimit dhe rritje të pagave për mësimdhënësit me 50%, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës për mësuesit.
Në lidhje me përparimin e arsimit, Hamza ka theksuar digjitalizimin e shkollave dhe integrimin e teknologjisë në mësimdhënie, si dhe krijimin e mundësive për nxënësit dhe studentët. “Bursa për nxënësit dhe studentët, në mënyrë që asnjë i ri të mos mbetet prapa për shkak të gjendjes ekonomike,” ka shtuar ai.
Në fund, Hamza ka premtuar politika që do të rikthejnë dinjitetin e mësuesve dhe që arsimi do të bëhet prioritet kombëtar: “Suksesi i mësuesve është suksesi i Kosovës. Dhe, Kosova mundet më mirë!”