Napoli ka bërë blerjen më të shtrenjtë në histori.
Sulmuesi nigerian Victor Osimhen është blerja e parë e verës për skuadrën e Napolit dhe njëkohësisht më e shtrenjta në histori, pasi për kartonin e tij Aurelio De Laurentiis ka shpenzuar plot 50 milionë euro.
Osimhen ka mbërritur sot në Napoli, ku është pritur nga vetë Genaro Gattuso, pasi ishte pikërisht tekniku kalabrez që e telefonoi personalisht për ta bindur të pranojë transferimin, gjatë kohës së ndërprerjes së futbollit për shkak të pandemisë.
Aktualisht sulmuesi 22-vjeçar është duke kryer vizitat mjekësore dhe më pas do të hedhë firmën mbi një kontratë 5-vjeçare, ku do të përfitojë 2.5 milionë euro në sezon, shifër kjo ndjeshëm më e lartë sesa fitonte te Lille.
Victor Osimhen spikati këtë sezon me fanellën e francezëve të Lille, ku në 27 ndeshje arriti të shënojë 13 gola, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane, por ka qenë pikërisht ndërhyrja personale e Gattusos, që e ka bindur të transferohet në Napoli.
Sulmuesi 22-vjeçar shquhet për cilësitë teknike dhe forcën e madhe fizike, ndërsa trajneri i Nigerisë Gernot Rohr e ka krahasuar me Didier Drogba për nga aftësitë që disponon dhe mënyra e lojës.
Kujtojmë që deri tani blerja më e shtrenjtë e Napolit, ka qenë meksikani Hirving Lozano, për të cilin u paguan 42 milionë euro një vit më parë për ta marrë nga PSV Eind’hoven, ndërsa tani në krye të listës kalon nigeriani Osimhen.