
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me ironi ndaj përfshirjes së Baton Haxhiut dhe Berat Buzhalës në zhvillimet politike që lidhen me LDK-në.
Abdixhiku tha se situata bëhet shqetësuese për LDK-në kur Haxhiu dhe Buzhala, sipas tij, bëjnë agjendë politike për këtë parti dhe takohen me deputetët e saj para mbledhjeve të Grupit Parlamentar.
“Kur Baton Haxhiu e Berat Buzhala bëjnë agjenda politike të LDK-së edhe kur i takojnë deputetët para Grupit Parlamentar, pasha Zotin, punët i kemi keq”, tha Abdixhiku, në formë ironike në emisionin ‘Adresa’ në Kanal10.
Ai e cilësoi këtë si një agjendë që, sipas tij, synon krijimin e një blloku të madh opozitar, me një LDK të nënshtruar dhe të dorëzuar te një grupim i caktuar.
“Kjo është agjendë e thellë e shkaktimit të madh të një blloku opozitar, me LDK të nënshtruar, dorëzimin e LDK-së te njëfarë grupimi”, deklaroi ai.
Abdixhiku theksoi se LDK-ja ka identitetin dhe elektoratin e saj, duke kundërshtuar idenë e bashkimit të saj me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nëse dikush e ka ëndërr me dalë me Samin e me dalë në sheshe edhe me i ba partitë bashkë, për besë, nuk është kjo LDK-ja jonë. I kanë votues të veçantë, i kanë të tjerë ata. I kemi rivalë të gjithë, ne jemi në garë, por s’kemi të përbashkët asgjë”, u shpreh Abdixhiku.
Ai tha se nuk synon bashkimin e LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë s’po pretendoj ta bëj bashkë LDK-në me Lëvizjen Vetëvendosje. A po e kuptoni këtë gjë? Unë jam i vetmi kryetar tash e dy vite që nuk ka bërë marrëveshje qeverisëse tash e dy vite me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Abdixhiku.
Në fund, Abdixhiku deklaroi se një marrëveshje me presidentin e LDK-së, sipas tij, do t’i sillte përfitime të mëdha Kosovës.
“Me president të LDK-së do të kemi marrëveshje, Kosova do të fitonte shumë”, përfundoi Abdixhiku.