Befason Dardan Molliqaj, i del në mbështetje ish-shefit të tij Albin Kurtit

14:22 | 29 Dhjetor 2018

Ish-sekretari i Përgjithshëm i VV-së, Dardan Molliqaj është pozicionuar me Albin Kurtit pas akuzave të Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit se zyrtarë të Vetëvendosjes kishin planifikuar eliminimin e liderëve kosovarë.

Tani deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, të paktën me një deklaratë, ka dalë në krah të ish-Shefit të tij, Albin Kurtit. Edhe pse i ka kërkuar të mos viktimizohet, Molliqaj ka shkruar se janë gënjeshtra akuzat e Thaçit e Veselit në drejtim të udhëheqësve aktualë të VV-së.

“Akuzat pa as edhe një fakt të vetëm që vijnë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli se kinse VV qëndron prapa organizatës ”Syri i Popullit” janë të ulëta dhe të papranueshme. Për më shumë, janë shpifje që e thellojnë edhe më shumë përçarjen e spektrit politik në vend, pikërisht tash kur të gjithë duhet të jemi të bashkuar përballë Serbisë”, ka shkruar Molliqaj.

Ai u ka bërë thirrje edhe VV-së të mos viktimizohen por të bashkohen kundër Serbisë.

“Nuk na duhen shpifje të tilla por as viktimizim. Na duhet përbashkim e pjekuri politike. Vetëm kështu e dëshmojmë se sa e duam vendin tonë”, ka shtuar ai.

Molliqaj, në disa deklarime të fundit, ka kërcënuar VV-së se do të publikojë fakte komprometuese për Kurtin dhe zyrtarët tjerë.

Madje, kishte përmendur një rast kur Liburn Aliu kishte refuzuar të merrte një përgjegjësi kur bashkë me ta ishte edhe Astrit Dehari, i cili ka humbur jetën në burg.

Komento: