Mbrojtësi i Paris Saint-Germainit, Sergio Ramos i ka dhënë fund karrierës ndërkombëtare.
Ai të enjten nëpërmjet një postimi në Twitter ka njoftuar se po tërhiqet nga Përfaqësuesja e Spanjës.
Ndër të tjera, Ramos ka lënë të kuptohet se e ka marrë këtë vendim, pasi selektori i ri i Spanjës, Luis de la Fuente i ka bërë me dije se nuk është në planet e tij.
36-vjeçari është rekordmen sa i përket paraqitjeve të Spanja, duke regjistruar 180 ndeshje.
Ai ka debutuar me Spanjën në vitin 2005, ndërsa ka fituar një titull bote dhe dy tituj të Evropës.